Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar ditë më parë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi, për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus.

Përderisa Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë, nga krahu tjetër janë shtuar zërat për një qeveri të re, në mes LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe minoriteteve. Se cilat do të jetë qeveria e re, dhe kush do të udhëheqë me ekzekutivin, për këtë çështje ka folur njohësi i rrethanave politike në vend. Në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, analisti politik, Fatmir Bajraj, ka thënë se qeveria e re e Kosovës pritet të formohet brenda pak javëve.

“Një qeveri në mes të LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe pakicat, brenda dy deri tre javëve. VV-ja dështoi të qeverisë dhe të bashkëqeverisje me LDK-në dhe akëcilin, dhe atë për faktin e paaftësisë dhe pazotësisë të përballet me temat dhe sfidat të cilat ishin kafshatë e pakapërdishme për një kryeministër, përvoja dhe invencioni i të cilit ishte në deficit dhe me hendikepe të pa-riparueshme. Tarifat si kërkesë e pakapërcyeshme e SHBA-vë, dhe jo-gatishmëria e LDK-së që të marr mbi supe fatin e vendit i cili shkonte drejt dështimit dhe kolapsit nga fakti i thyerjes së mëtejme të marrëdhënieve dhe raporteve me aleatin strategjik të Kosovës dhe shqiptarëve, pra Amerikën, detyroi Kurtin që të gjejë alibi dhe pretekst për të provokuar rrëzimin e Qeverisë, gjë që ndodhi me rastin e shkarkimit të Ministrit Veliu dhe në shkelje të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në”, ka thënë Bajraj. Tutje, ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës, edhe pse jo në germën, por gjithsesi në frymën e saj, ofron alternativa gjeneruese për shtegdalje duke dhënë mundësinë e formimit të një Qeverie teknike në mes të LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe minoritetet si kategori kushtetuese. Krejt në fund, ai thekson se qeverinë e ardhshme e presin sfida të mëdha, gjersa ka bërë me dije se atë duhet ta udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës./BotaSot

Flash Lajme

Më të lexuarat