Gjykata Kushtetuese në Kosovë sot pritet të shpallë vendimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi, duke i hapur rrugën mandatarit të dekretuar Abdulla Hoti që të formojë kabinetin qeveritar, mëson INA. Ky vendim pritet të publikohet gjatë ditëve në vijim.

E përditshmja ‘Koha ditore’ ka hapur numrin e sotëm të gazetës me titullin qendror “Shtatë gjyqtarë të Kushtetueses në anën e Thaçit”, ku ndër të tjera shkruan se nga 9 gjykatësit, 7 prej tyre janë pro dekretit të Thaçit, duke mbështetur argumentet e tij.

Një tweet “7 vota pro” i gazetarit Adriatik Kelmendi ka nxitur debate se ai konsiston në votimin në Kushtetuese. Gazetari Kelmendi nuk ka dhënë detaje tjera, se çka ka dashur të thotë me këtë porosi.

Mirëpo, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shpërndarë tëeet-in e Kelmendit, duke thënë se shkrimi i tij nënkupton se tashmë është marrë vendimi nga Gjykata Kushtetuese me 7 vota pro dhe 2 kundër formimit të qeverisë së re.

Pas postimit të Kelmendit, ka reaguar edhe zv.kryeministri në detyrë Haki Abazi, duke thënë se po tentohet t’i vidhet pushteti Lëvizjes Vetëvendosje nga partitë tjera në vend.

Më 30 prill, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ky veprim u ndërmor pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.

Pas dekretit të Thaçit për Hotin, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Kushtetueses me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.
Gjykata Kushtetuese vendosi deri më 29 maj masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë që nga 25 marsi kur u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, i iniciuar nga LDK, pas përplasjeve që ndodhën vetëm pak javë të bashkëqeverisjes së tyre. (INA)

Flash Lajme

Më të lexuarat