Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se të mërkurën, u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Lajmi për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale vjen pak kohë para nisjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët serbë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./REL

Flash Lajme

Më të lexuarat