Rreth orës 05:00 të mëngjesit, janë djegur dy vetura në Prishtinë. Veturat e tipit AUDI dhe BMW ishin të parkuara, siç ka mësuar KOHA, para shtëpisë së ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sabit Gecit.

Policia, përmes një përgjigjeje zyrtare, ka thënë se hetimi është duke vazhduar.

“Sot rreth orës 05:00, policia ka marrë informatën se në rrugën “Nazmi Mustafa” në Prishtinë janë duke u djegur dy vetura (një e tipit Audi, një e tipit BMW.) Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet e nevojshme policore, të përkrahur edhe nga zjarrfikësit, kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Zjarri është lokalizuar, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aktualisht, policia po vazhdon me të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin.

Geci është dënuar para disa vjetësh për krime lufte, por vuajtja e dënimit i është pezulluar disa herë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Në fillim të këtij viti ai pati udhëtuar drejt Hagës, i ftuar nga Gjykata Speciale.

Flash Lajme

Më të lexuarat