Publicisti Veton Surroi ka thënë se më nuk është e diskutueshme nëse do të ketë zgjedhje në Kosovë, por se pyetja qëndron se kur në këta tre muaj do të ndodhin.

Megjithëse në opinionin publik është krijuar perceptimi se në rast se zgjedhjet mbahen ato do të nxjerrin fitues Vetëvendosjen në koalicion me ndonjë parti tjetër, Surroi thotë se nuk ka siguri se çfarë do të krijojnë zgjedhjet, njofton Klan Kosova.

“Njëri prej arsyetimeve që mos të shkohet në zgjedhje në Kosovë pas luftës ka qenë që edhe po të votojmë do të jenë të njëjtit. Ky është sulm kundër zgjedhjeve dhe demokracisë duke paragjykuar njeriun se mund të jetë i njëjti. Ne kemi kaluar fazën kritike me COVID-19 dhe kjo mund të prodhojë votues pro apo kundër një partie. Ta shohim se cka do të prodhojnë zgjedhjet”.

Për moskalimin e Projektligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, Surroi ka thënë se Qeveria duhet të gjejë zgjidhjen e përbashkët me opozitën, meqë i mungon shumica e thjeshtë.

“Nëse s’ta voton opozita një ligj duhet të ulesh me të dhe të flasësh se ku duhet të ndërhyhet ose para projektimit opozita duhet të pyetet nëse ia merr mendja ta përkrahin”.

Surroi në Rubikon të Klan Kosovës ka kritikuar investimin në autostradën e Dukagjinit derisa në vend ka krizë të madhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

“Në kohë të rënies dramatike të ekonomisë dhe në kohë të krizës politike në buxhetin e autostradës së Dukagjinit shpenzohen 250 milionë euro për tokat e blera. Pra, kjo ndodh në kohën kur qyetatrëve iu kërkohet që të nxjerrin nga Trusti 15 euro”.

Një investim i tillë i Qeverisë nuk ishte kritika e vetme e Surroit. Ai tha se pikat me të cilat Qeveria Hoti erdhi në pushtet nuk u realizuan përfshirë edhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.