Dje, Inspektorati i Komunës së Obiliqit, banorit Mersim Krasniqit ia ka rrënuar shtëpinë në të cilën sapo kishte filluar punimet.

Krasniqi, i cili jeton momentalisht në Prishtinë, për KosovaPress ka thënë se duke mos pasur zgjidhje tjetër është dashur të nisë ndërtimin e shtëpisë në truallin e tij, ndonëse për këtë ndërtim nuk ka marrë leje nga komuna.

Pronari i shtëpisë thotë se tri javë më parë Inspektorati i Obiliqit ia ka ndërprerë punimet, derisa të shtunën i kanë sjellë edhe vendimin për rrënimin e shtëpisë.


Ai pohon se punimet e shtëpisë së tij do t’i vazhdojë, derisa ka paralajmëruar edhe padi kundër kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi, ndërsa shton se shtëpia e tij ndodhet larg vijës së rrezikut që e ka përcaktuar KEK-u si zonë me interes.

Banorët e lagjes “Mexhuan” të Sibovcit sot gjatë ditës kanë qëndruar para komunës së Obiliqit për të kërkuar sqarim nga i pari i kësaj komune, por që u takuan vetëm me nënkryetarin, Ibush Mjekiqin.

Daut Krasniqi, banor i kësaj ane, thotë se ata po jetojnë të rrezikuar dhe nuk po u lejohet të bëjnë një jetë normale siç e bëjnë të tjerët.

Derisa e ka konfirmuar atë që i ndodhi kushëririt të tij, Krasniqi thotë se komuna nuk po u ofron zgjedhje tjetër duke i lënë të izoluar.

Sipas tij, komuna po investon në këtë fshat duke ndërtuar rrugë dhe fusha sportive, por nuk lejon ndërtimin e shtëpive private.


Lidhur me rastin në Drejtorinë e Inspektoratit në komunën e Obiliqit kanë bërë të ditur se shtëpia e rrënuar nuk ka pasur leje ndërtimi.

Drejtori i këtij dikasteri, Burim Ismaili, tha se qytetarët janë të informuar me kohë se nuk duhet të ndërtojnë në këtë zonë, duke paralajmëruar se do veprojnë njësoj për çdo banor që ndërton ilegalisht.

“Shtëpia është rrënuar, sepse është ndërtuar pa leje ndërtimi dhe gjendet në zonën me interes të veçantë ekonomik e shpallur nga Qeveria e Kosovës, i cili vendim është në fuqi. Qytetarët janë të njoftuar me kohë me të gjitha procedurat. Do të veprojmë njësoj për të gjitha shtëpitë, të cilat janë ndërtuara ilegalisht. Jemi te obliguar që edhe në të ardhme të veprojmë në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë”, paralajmëron Ismaili.


Ai ka apeluar te të gjithë banorët të mos ndërtojnë ilegalisht, pasi kjo do të jetë në dëm të tyre, dhe se nuk do t’iu kompensohen dëmet.

E nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kanë bërë të ditur se për rastin në fjalën KEK-u vetëm ka siguruar mekanizmin e nevojshëm për rrënimin e objektit të ndërtuar në Zonën me Interes të Veçantë Ekonomik.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli i tha KosovaPress-it, se KEK-u i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së komunës së Obiliqit për të ofruar shërbim për rrënimin e shtëpisë së Mirsim Krasniqit.

“Sa i përket kësaj çështje, ju njoftojmë se Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Obiliqit më datën 22.03.2019 i është drejtuar KEK-ut me një kërkesë me të cilën KEK-ut i është kërkuar të sigurojë mekanizmin e nevojshëm për rrënimin e objekteve të ndërtuara në zonën me interes të veçantë ekonomik. Si rrjedhojë, KEK-u i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese me ç’rast vetëm ka ofruar shërbim këtij dikasteri, i cili po i kryen obligimet e veta bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Bucollit përmes postës elektronike.

Ndryshe, javë më parë banorët e Sibovcit për të zgjidhur problemin e tyre pronësor kanë nënshkruar një peticion, të cilin ia kanë dorëzuar komunës së Obiliqit, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeverisë./KosovaPress/

Loading...


Flash Lajme

Më të lexuarat