Dorëheqjet nga Vetëvendosja nuk kanë të ndalur, tani edhe drejtorët nëpër komuna

Dorëheqjet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk kanë të ndalur, tani pas Mitrovicës dhe qyteteve të tjera të Kosovës, në Kamenicë kanë filluar që këtë parti ta braktisin disa nga aktivistët më të zëshëm dhe që kontribuonin për LVV, transmeton Gazeta Metro.

Arianit Ibrahimi, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Kamenicë, pas 9 viteve ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje pasi situata në këtë parti është përkeqësuar që nga ardhja e kryetarit aktual të qendrës, Bajram Mavriçi.

Ibrahimi ka fajësuar kryetarin Mavriçin se prej ardhjes së tij demokracia dhe gjithpërfshirja në LVV është ngulfatur dukshëm, ai madje kishte filluar të mos i ftonte në tubime dhe mbledhje anëtarët e vjetër të kësaj partie, po ashtu organizonte shpifje dhe akuza në drejtim të tyre.

Po ashtu ai ka treguar se si LVV i kishte dhënë ultimatum se do të shpalleshin tradhtarë nga ata, nëse këta të fundit nuk japin dorëheqje deri me 29 mars nga pozitat drejtuese në Komunë që drejtohet nga PSD.

Postimi i plotë nga Ibrahimi:

Të dashur qytetar të Kamenicës. Siç edhe mund të jeni në dijeni, atmosfera në qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kamenicë ka kohë që është përkeqësuar. Që nga ardhja e kryetarit aktual të qendrës, domokracia dhe gjithëpërfshirja në këtë organizatë është ngulfatur dukshëm.

Pa dashur të luaj rolin e aktivistit veteran, në këtë subjekt jam angazhuar tash e nëntë vite dhe mendoj që e njoh mjaft mirë se si kjo organizatë funksionin për brenda. Pra kam qenë aty edhe kur kemi qenë 4 – 5 veta e kemi pasur shumë pak përkrahje sikurse jam angazhuar me tërë kapacitetin në fitoret zgjedhore të vitit 2017.

Fitorja e kandidatit tonë në Kamenicë ishte shpresë e madhe për qytetarët. Më në fund ishte një frymë e re qeverisëse që po instalohej e për të cilët kishim punuar ditë e natë aktivistët e qytetarët e komunës sonë.

Në fillim të mandatit qeverisës lokal, ndodhi dalja e shumë aktivistëve nga VV-së në nivel qendror. Sikurse shumë qytetarë, edhe ne aktivistët e kishim të vështirë të kuptonim se çfarë po ndodhte dhe cilat ishin arsyet. Ky debat e diskutim siç të gjithë e dijmë vazhdoi për shumë gjatë.

Megjithatë, unë bashkë me disa aktivistë të tjerë u bëmë pjesë e kabinetit qeverisës lokal duke drejtuar disa Drejtori komunale. Pavarësisht debateve e përplasjeve rreth ndarjes së VV-së, ne vazhduam punën me intensitet maskimal që të jetësonim programin zgjedhor me të cilin kishim kandiduar.

Ndonëse pa dëshirën tonë, atmosfera e ndarjes dhe përplasjet filluan të shpeshtohen edhe në Komunën tonë. Sjellja përjashtuese e izoluese e Kryetarit të VV-së në Kamenicë u bë edhe më e madhe dhe më e ulët. Çdo ditë e më shumë, filluam të mos ftohemi në forumet e brendshme të organizatës. Aktivistë të dirigjuar nga kryetari i qendrës organizuan shpifje, insinuata e akuza prej më të ndryshmëve ndaj atyre që ata i konsideronin si të kundërt me linjën zyrtare.

Për muaj të tërë, i shqetësuar, kam vazhduar punën në drejtori e poashtu kam vazhduar përpjekjen që situata në qendrën tonë t’i kthehet normalitetit dhe të ndodhë një komunikim normal. Bashkë me të tjerë nuk kam lënë gur pa lëvizur që lufta e shpifur ndaj nesh të ndalet, sepse ishte artificiale dhe e bazuar në të pavërteta.

Pas insistimit të vazhdueshëm, arritëm që të kemi një takim ish-Sekretarin e VV-së dhe zyrtarë të tjerë. Në këtë takim që u zhvillua në nëntor ku ishim shumë aktivistë të qendrës, nuk mu shua shpresa që gjërat do të rregulloheshin pas kësaj ndërhyrjeje. Fatkeqësisht, javët kalonin, dhe sulmet ndaj nesh nuk ndaleshin por vetëm se sofistikoheshin e rriteshin.

Kulmi u arrit në takimin e 25 marsit ku në Kamenicë erdhi Sekretarja Organizative e VV-së. Me vullnet të madh që gjërat të rregulloheshin, e njofotova përsëri Sekretaren me të gjitha problemet që ishin në qendrën tonë. Realisht, prisja një ndërhyrje më direkte në mënyrë që sulmet të ndaleshin dhe të krijoheshin kushte demokratike të funksionimit sepse qendra tashmë ishte e kapur nga Kryetari. Përgjigja që morra ishte tepër DËSHPËRUESE.

Në vend të kësaj, u udhëzuam që në cilindo variant ne duhet të jemi lojal ndaj kryetarit të qendrës. Dhe për të ma mbytur përfundimisht shpresën, nga sekretarja e VV-së na u vendos ultimatum që nëse deri më 29 mars, e premte, nuk japim dorëheqje nga Kabineti qeverisës lokal, ne nuk do të jemi pjesë e VV-së dhe do të konsiderohemi si vijë e tradhëtarëve.

Për gjithë këto vite aktivitet vullnetar nuk kam besuar kurrë që do të vije dita që të kushtëzohem nga një bashkëaktivist kështu siç u kushtëzuam nga Sekretarja. Në tërë këto vite jemi mësuar që pushteteve të padrejta t’u rrijmë përballë e të mos u nënshtrohemi, kurse sekretarja na e kërkoi në sy që ne të nënshtrohemi ndaj një Kryetari të padrejtë që e ka kapur qendrën.

Jam angazhuar me sinqeritetin më të madh duke besuar që bashkë mund ta bëjmë vendin tonë një vend më të mirë. Por kur drejtësia e barazia si vlera që i kemi proklamuar gjithmonë jashtë, na mungojnë tërësisht brenda, atëherë angazhimi në këtë subjekt është i pamundur.

Duke mos qenë aspak pishman për këto 9 vite sakrificë, mësime, humbje e fitore, unë nga sot e delaroj dorëheqjen time nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Si aktivist politik që jam ndërtuar nuk zbrapsem nga asnjë shantazh, shpifje a kryetar. Do të vazhdoj punën me krejt potencialin tim që të mos i dëshpërojmë qytetarët që kërkojnë ndryshim në këtë komunë të vogël.

  • WhatsApp
  • Tweet
  • Shtype
Loading...

Postime të lidhura

Flash Lajme

Më të lexuarat