Ambasada franceze mbështet fuqishëm ambasadorin zviceran

Loading...

Ambasada franceze mbështet fuqishëm ambasadorin zviceran

Përveç ambasadorit britanik, Ruari O’Connell dhe ambasadorit gjerman, Christian Heldt, deklaratën e ambasadorit zviceran, Jean-Hubert Lebet e ka mbështetur edhe ambasada franceze në Kosovë.

Lebet ditë më parë kishte përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët. Heldt ka thënë se me deklaratën e tij pajtohen të gjithë ambasadorët në Kosovë.

Në reagimin e ambasadës franceze bëhet e ditur se mbështesin fuqishëm deklaratën e kolegut zviceran.

“Ambasada e Francës mbështet fuqishëm ambasadorin zviceran. Korrupsioni dhe nepotizmi janë plagë për Kosovën”, bëhet e ditur në reagimin e ambasadës.

Ambasadori Lebet në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt të mërkurën, kishte deklaruar se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë projekte të tilla, ngase sipas tij Kosova ka para, por nuk duhet keqpërdorur.

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financoi ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhej jo për të financuar veteranët e rrejshëm do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka më shumë shërbyes civil tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, kishte thënë ai.

Kësaj deklarate të ambasadorit i kishte reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili kishte thënë se në vendin ku po përurohet ujësjellësi, ka shumë luftëtarë të vërtetë, të cilët kanë qenë në UÇK.

Më pas, për këto deklarata të ambasadorit zviceran kishte reaguar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili në një emision televiziv kishte deklaruar se po të kishte kompetenca do ta dëbonte Lebetin nga Kosova.

Ndërsa pas reagimit të Lekajt, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit Lekaj./21Media

Flash Lajme

Më të lexuarat