"E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore"

“E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore”

Para Samitit të Berlinit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me zëvendëskryeministrin Pacolli, janë takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Thaçi ka treguar se kanë diskutuar për zhvillimet rajonale dhe rëndësinë e integrimit evropian të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Para Samitit të Berlinit, bashkë me zëvendëskryeministrin Pacolli, një takim bilateral kishim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherin. Ne diskutuam për zhvillimet rajonale dhe rëndësinë e integrimit evropian të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për ne, fqinjët tanë dhe vetë Bashkimin Evropian, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, kjo marrëveshje do t’i sillte edhe më shumë paqe e stabilitet rajonit dhe Evropës. E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është takuar sot me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini në Berlin.

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen së bashku sot në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj./21Media

Flash Lajme

Më të lexuarat