Vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve janë bërë me armë pa leje

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), organizuan tryezë të rrumbullakët ku u diskutua kontrolli mbi armët e vogla dhe të lehta dhe mundësitë për reduktimin e armëve ilegale në Kosovë.

Në këtë tryezë u tha se numri i armëve ilegale që gjenden në Kosovë është ende shqetësues për institucionet e sigurisë. Ndërsa përfaqësues të organeve të sigurisë u bënë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë mundësinë sa më parë t’i legalizojnë armët.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL), Izmi Zeka, thirri qytetarët ta bëjnë një gjë të tillë, duke kontribuar në mënyrë direkte në sigurinë publike.

“Vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur janë bërë me armë pa leje. Në bazë të statistikave të vendeve të ndryshme që kam parë, del se armët ilegale janë potencial për të eksploduar në çdo moment. Duhet të gjejmë rrugë dhe mundësi që qytetarët t’i bartin armët me leje”, tha Zeka, i cili shtoi se rastet e fundit të grabitjeve, dhunës në familje, dhunës në shkolla ku janë përdoruar armët e paligjshme janë bërë shqetësim për Republikën e Kosovës.

Zeka përmendi disa shifra të vendeve të rajonit për legalizimin e armëve gjatë vitit 2016. “Bosnjë e Hercegovina ka legalizuar gjatë këtij viti 162 armë, Serbia 1410 armë e Moldavia 126 armë. Ndërsa Kosova, ka aktualisht në procedurë të legalizimit 800 armë, që është një numër i vogël”, tha ai.

Drejtori i Divizionit për Siguri Publike nga Policia e Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Kosova ende nuk ka fabrikë të prodhimit të armëve, gjë që e bën atë vend-tranzit apo vend-destinacion të armëve.

“Sfidë për ne, për Policinë e Kosovës, në luftimin efikas të trafikimit me armë dhe krimeve që ndërlidhen me armët, mbetet mosanëtarësimi i Policisë së Kosovës në mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar policorë, siç është Interpoli dhe Europoli. Pasi trafikimi me armë është krim i organizuar tejkufitar dhe pa një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të policive të rajonit, nuk mund të ketë rezultate të pritura”, tha Hoxha.

Për Policinë e Kosovës, tha Hoxha, janë kruciale tre faktorë. Krijimi i partneritetit të brendshëm, avancimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar si dhe vetëdijesimi i qytetarëve mbi pasojat e përdorimit të armëve.

Sipas rezultateve zyrtare të dala nga institucionet e sigurisë kosovare, Policia e Kosovës konfiskon mesatarisht 1.400 armë ilegale çdo vit. 67 për qind e qytetarëve ndihen të sigurt në mjediset e jashtme të territorit të Kosovës ndërsa 68 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Policisë së Kosovës.

Në Kosovë sipas një hulumtimi në vitin 2014, ka rreth 260 mijë armë ilegale, por përfaqësues të policisë në tryezë thanë se besojnë që ky numër ka rënë dukshëm. Gjatë viteve 2007-2017 ndër qeveritë donatore për projekte të ndryshme të sigurisë ka qenë edhe Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika etj. (AA).

  • WhatsApp
  • Tweet
  • Shtype
Loading...

Postime të lidhuraBallinë

Flash Lajme

Më të lexuarat