Në Viti bizneset ankohen për mungesë të punëtorëve

Viteve të fundit shumë banorë të Komunës së Vitisë janë larguar nga Kosova për shkak të papunësisë, transmeton Plus Tv.

Ata që ikën janë kryesisht të rinjë të papunë.

Ndonëse nuk ka statistika, një numër i atyre që janë larguar ishin edhe ata që kishin një vend pune por që nuk kanë qenë të kënaqur me pagat apo edhe kushtet e punës.
Ata që ikën ishin edhe një numër i kuadrove cilësor pasi nuk ishin të kënaqur me pagat në sektorin privat.
Kjo ka bërë që edhe bizneset e Anamoravës, të kenë vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar ose së paku që kanë zanat apo përvojë në një profil të caktuar.
Përfaqësues të bizneseve të Anamoravës thonë se me këtë problem po përballen kompanitë prodhuese, ndërtimore dhe ato të tregtisë.
Telashe të kësaj natyre, kanë edhe disa biznese që operojnë në tregun e Vitisë, por jo të gjitha.
Xhemajl Hasani, kryetar i Shoqatës së Bizneseve në Viti, ka thënë për Plus Tv se në këtë rajon nuk ka mungesë të madhe të punëtorëve. Sipas tij, ka ankesa nga bizneset por kryesisht gjendja nuk është shqetësuese. Sipas Hasanit, mungesë të punëtorëve ndodh të kenë sektori i ndërtimtarisë për punonjës ndërtimor, moler, ose restorantet për gjetjen e kuzhinierëve dhe ato biznese që kërkojnë saldues të trajnuar, etj.
“Ne jemi në diskutime me bizneset, janë disa kompani që janë ankuar se përkundër asaj se kanë shprehur gatishmëri të paguajnë punëtorët në mënyrë adekuate, megjithatë nuk mund të gjejnë fuqi punëtore”, thotë Hasani në mes tjerash. Problem sipas tij mbetet edhe fakti se punëtorët e ndërprenë punën pa paralajmërim, çka shkakton telashe për punëdhënësin. Hasani ka përmendur raste kur të papunët refuzojnë ofertat për punë me arsyetimin se nuk janë të kënaqur me pagën që do t’ju ofrohet.
Ai në fund ka thënë se për evitimin e ndonjë krize në sektorin privat është tejet e rëndësishme harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Mirëpo, mungesa e vendeve të reja të punës është e madhe në këtë komunë.
Televizioni ka tentuar të marrë edhe statistikat më të reja në zyrën e Entit për Punësim në Viti, se sa është numri i punëkërkuesve vitias, por nuk ka marr përgjigje.
Në anën tjetër, të dhënat e zyrës komunale për regjistrim të biznesit në Viti, tregojnë se numri i bizneseve të regjistruara vitet e fundit nuk është se ka shënuar rritje.
Sipas të dhënave zyrtare në Viti, gjatë vitit 2018 janë hapur 179 biznese të reja, derisa janë shuar rreth 34 veprimtari biznesi.
Krahas kësaj drejtues të qendrave tregtare lokale në Viti thonë se nuk kanë problem me gjetjen e punëtorëve, por këta të fundit shpesh janë ankuar për shumë padrejtësi që u ndodhin në këto vende të punës./PlusTv/

  • WhatsApp
  • Tweet
  • Shtype
Loading...

Postime të lidhuraBallinë

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All