Koronavirusi e ka zhytur botën në pasiguri dhe lajmet e vazhdueshme rreth pandemisë mund të duken të pamëshirshme. E gjithë kjo situatë ndikon në shëndetin mendor të njerëzve, veçanërisht tek ata që vuajnë nga ankthi.

Kur Organizata Botërore e Shëndetit lëshoi këshillat për mbrojtjen e shëndetit mendor gjatë shpërthimit të koronavirusit, u mirëprit në rrjete sociale.

This is actually valuable advice, and I reckon applies to Twitter as well. pic.twitter.com/Fp8U3gb1ww

— Scott Bryan (@scottygb) March 10, 2020

Frika e të qenit jashtë kontrollit dhe paaftësia për të mposhtur pasiguritë janë karakteristikat më të zakonshme të çrregullimeve të ankthit. Pra, është e kuptueshme që shumë njerëz në botë, këto kohë, po përballen me ankthin.

Por, si mund të kujdesemi ne shëndetin mendor?

Kufizoni lajmet dhe kini kujdes se çfarë lexoni!

Leximi lajmeve të tepërta për koronavirusin ka çuar në sulme paniku për Nick, një baba i dy fëmijëve nga Kent, i cili po jeton në akth.

“Ndjej ankth kur mendoj se jemi jashtë kontrollit. Filloj të mendoj për pasoja katastrofike”, thotë ai. Nick shqetësohet për prindërit e tij dhe të moshuarit e tjerë që ai njeh.

Shmangia e lajmeve dhe rrjeteve sociale e kanë ndihmuar që të menaxhojë ankthin. Kufizimi i sasisë së informacionit rreth pandemisë do ju bëjë të ndjeheni më mirë. Ndoshta duhet të lini një orar për të parë lajmet. Ka shumë dezinformata rreth e rrotull, prandaj gjithmonë referojuni burimeve të besueshme të informacionit siç janë qeveritë dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar.

Bëni pushim nga rrjetet sociale dhe mos ndiqni faqe që nxisin panik!

Alison, një 24-vjeçare nga Manchester, përjeton ankth dhe është e detyruar në një farë mënyre të hulumtojë rreth kësaj teme. Por në të njëjtën kohë ajo është e vetëdijshme se mediet sociale janë shkaktare të ankthit.

“Një muaj më parë kërkova me hashtag për koronavirusin dhe të gjithë ato informacione të paverifikuara më shqetësuan shumë. Ndihesha e pashpresë dhe fillova të qaj”, tha ajo.

Tani ajo tregon kujdes se në cilat faqe merr informacion. Gjithashtu po përpiqet të shpenzojë sa më pak kohë në rrjete sociale. Alison e kalon kohën duke parë televizor ose duke lexuar libra.

  • Mos merrni informacione me hashtage në llogari jo të besueshme!
  • Heshtni grupet në WhatsApp dhe fshini faqet e pabesueshme në Facebook!

Lani duart, por mos u fiksoni!

Njerëzve me çrregullime të ankthit obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe llojeve të tjera të ankthit, duke ju thënë lani shpesh duart, mund të bëhet e vështirë për t’u dëgjuar.

Për Lily Bailey, autore e  “Because We Are Bad”, një libër në lidhje me të jetuarit me OCD, frika nga ndotja ishte një aspekt i çrregullimit. Ajo thotë se këshillat për larjen e duarve mund të jenë një nxitje e madhe për njerëzit e kuruar, të sëmuren sërish.

“Është vërtet e vështirë sepse unë tani duhet të bëj disa sjellje që i kam shmangur për t’u përmirësuar, thotë Bailey. “Unë u përmbahem këshillave, por është e vështirë, duke marrë parasysh se për mua sapuni dhe dezinfektanti dikur ishin varësi”.

Shoqata e Bamirësisë OCD thotë se, çështja është sesa funksionon kujdesi. Për shembull, a po kryhet larja e duarve në sasinë e rekomanduar të kohës për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së koronavirusit, apo është duke u bërë në mënyrë rituale, si përpara se të shfaqej epidemia?

Bailey thekson se për shumë njerëz me OCD, për t’u përmirësuar duhet të dalësh jashtë shtëpisë, kështu izolimi mund të jetë një sfidë për ta.

“Nësë ne jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, koha e gjatë brenda dhe mërzitja mund të na përkeqësojnë gjendjen”, tha ajo.

Qëndroni në kontakt me njerëzit (kontakt online)!

Rritja e numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirus janë një tregues që qëndrimi në shtëpi mund të zgjasë, kështu që sigurohuni të keni numrat e telefonit të njerëzve tuaj të dashur.

Nëse jeni në karantinë, bëni një ekuilibër mes rutinës dhe diçkaje ndryshe apo interesante. Në dy javë ju mund të ndiheni produktivë, nëse bëni gjëra që nuk keni mundur t’i bëni më parë për shkak të kohës apo nëse lexoni një libër për të cilin keni menduar më parë.

Mos lejoni t’ju bien energjitë

Koronavirusi mund të zgjasë me javë, ose me muaj, dhe është e rëndësishme që ju të jeni të shëndetshëm edhe mendërisht. Mendja e njeriut rekomandon vazhdimisht akses në natyrë dhe rreze dielli kudo të jetë e mundur, prandaj duhet të bëheni të durueshëm. Bëni stërvitje, hani mirë dhe qëndroni të hidratuar.

Për të qenë mirë, me energji dhe pa stres ju duhet:

  • Pranoni pasiguritë që keni gjatë kësaj kohe.
  • Mos reagoni siç bëni zakonisht. Pushoni dhe merrni frymë.
  • Thojini vetes që kjo nevojë e dukshme për siguri nuk është e dobishme dhe e nevojshme. Është vetëm një mendim ose ndjenjë.
  • Mos besoni gjithçka që mendoni. Mendimet nuk janë deklarata apo fakte.
  • Eksploroni momentin e tanishëm, sepse tani, në këtë moment, gjithçka është mirë. Vini re frymëmarrjen tuaj dhe ndjesitë e frymëmarrjes tuaj. Vini re tokën poshtë jush. Shikoni përreth dhe vini re atë që shihni, çfarë dëgjoni, çfarë mund të prekni, çfarë mund të nuhatni. Tani për tani. Pastaj zhvendosni përqendrimin tuaj të në diçka tjetër,  në atë që duhet të bëni, në atë që keni bërë përpara se të vini re shqetësimin, ose të bëni diçka tjetër, me mendjen dhe vëmendjen tuaj të plotë./Përshtati nga BBC, Enkeleda Bodini-dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP


Flash Lajme

Më të lexuarat