Vaksina kundër Covid-19 e krijuar nga firmat Pfizer dhe BioNTech mund të nisë shpërndarjen që në Dhjetor, teksa Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të furnizohen nga Bashkimi Europian.

Ugur Shahin, drejtori ekzekutiv i firmës gjermane BioNTech shprehet se është në pritje vetëm të marrjes së miratimit për prodhimin e vaksinës.

“Duhet të presim miratimin. Nëse çdo gjë shkon mirë, mund të nisim furnizimin e Europës dhe Shteteve të Bashkuara, prej gjysmës së dytë të Dhjetorit”, tha Shahin.

Pfizer dhe BioNTech kanë aplikuar pranë Entit për Ilaçet dhe Barnat në Shtetet e Bashkuara për autorizim urgjent, që përmes procedurave të përshpejtuara pritet të nxjerrë lejen e prodhimit brenda pak javësh.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen la të kuptohet se vendet e Ballkanit Perëndimor që përfshihen në programet e fqinjësisë së Unionit, do të furnizohen me të njëjtën mënyrë si vendet e Bashkimit Europian.

“Kemi nevojë për shumë doza për vaksinimin e 450 milionë njerëzve, qytetarë të Bashkimit Europian dhe vendeve tona fqinje”, tha ajo.

BE-ja ka marrëveshje paraprake për furnizimin me vaksina nga këto firma. Brenda këtij viti, firmat Pfizer e BioNTech ashtu si edhe Moderna pritet të prodhojnë deri 30 milionë doza për të nisur vaksinimin e personave që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe të moshuarit, si kategoritë më të rrezikuara nga COVID-19. Ato përdorin të njëjtën teknologji inovative të mARN-së, me një efektshmëri të lartë deri 95% për mbrojtjen nga koronavirusi.


Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All