Nëse maska nuk mbahet siç duhet, gjasat janë që rreziku i infeksionit me koronavirus të jetë aty. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se nga vëzhgimet e kryera, shumë qytetarë nuk e mbajnë maskën në mënyrë korrekte.

“Shumica dërrmuese nuk e mbajnë si duhet, e mbajnë poshtë hundës, kur futen në një mjedis e ulin poshtë mjekrës, kjo nuk duhet kurrsesi. Dhe pse mbajnë maskë, ajo duhet shoqëruar me higjenë dhe distancë për të qenë efektive” , ka deklaruar një specialiste e ISHP.

Por kur një maskë konsiderohet se është mbajtur korrekt dhe na siguron mbrojtje maksimale ?

“Kur mbulon hundën dhe mjekrën totalisht, para se të vihet, të dezinfektohen duart, pasi hiqet, duart dezinfektohen sërish. Maska preket vetëm anash nësa na duhet ta ulim apo ta heqim, maskat njëpërdorimshe hidhen menjëherë në kosh” shton ajo.

Po aq e rëndësishme është edhe kohëzgjatja e përdorimit të një maske. Specialistët e Shëndetit Publik thonë se maskat më të përdorshme aktualisht janë ato prej tekstili, të cilat nuk duhen të përdoren më shumë se 4 orë dhe në rastet kr maska laget nga spërklat duhet hequr dhe vendosur një tjetër.

Përdorimi i maskës në çdo mjedis veç shtëpisë është i detyrueshëm dhe mos respektimi i këtij rregulli çon në gjobitjen e personit mbi 11 vjeç.


Flash Lajme

Më të lexuarat