Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Kompania amerikane bio – teknologjike, Moderna Inc., që deklaroi se ka përfunduar zhvillimin e versionit të parë në botë të një vaksine kundra koronavirusit, ua ka nisur grupin e parë të këtyre vaksinave të zhvilluara shumë shpejt studiuesve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Këta të fundit do të nisin dhe testet e para në njerëz, duke kontrolluar nëse kjo vaksinë eksperimentale mund të ndihmojë në ndalimin e epidemisë që e pati fillimin e saj në Kinë.

Zhvillimi i vaksinës u bë në një kohë rekord, vetëm 42 ditë pasi përbërja gjenetike e patogjenit u nxorr me sukses.

Provat klinike pritet të fillojnë në prill, me rreth 30 vullnetarë.

Kjo do të jetë prova e parë nga katër të tilla që do të bëhen në njerëz, e që do të testojnë efikasitetin e vaksinës dhe do të përjashtojnë çdo efekt anësor të dëmshëm.

Pas kompletimit të provave të para në prill, faza e dytë do të testojë thellësisht efikasitetin e vaksinës në parandalimin e infeksionit të koronavirusit në grupe më të mëdha vullnetarësh.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit nëpër botë, kjo fazë e provave klinike, që zakonisht zgjat me muaj apo vite të tëra, me shumë mundësi do të fillojë shumë më herët.

Ndërkohë, koronavirusi vazhdon të përhapet në të gjithë botën. Deri tani në të gjithë botën raportohen 81,264 raste me koronavirus, 2,770 pacientë kanë vdekur dhe 30,327 janë shëruar. 82% (39,316) e pacientëve janë në gjendje të mirë dhe 18% (8,851) e tyre ndodhen në gjendje kritike apo të rëndë.

Burimi: CNN


Flash Lajme

Më të lexuarat