Këngëtarja britanike vjen me një album me ritëm të kërcyeshëm dhe sfidues, në të cilin shfaq aspekte të ndryshme në një çift dhe të meshkujve.

Tre vjet më parë, ajo u prezantua me albumin e saj të parë, nën cilësimin e princeshës së vogël të muzikës pop.

Sot, Dua Lipa lakmon fronin. Britanikja me origjinë nga Kosova, e cila këtë vit do të mbushë 25 vjeç, ka një listë të shkëlqyer arritjesh: tre Brit Awards, dy çmime Grammy dhe nominime të shumta. Me daljen e albumit të dytë Future Nostalgia, do të duhet të krijojë një hapësirë të re, në raftin e saj të çmimeve.

I planifikuar fillimisht më 3 prill, projekti i ri i Dua Lipa më në fund është i disponueshëm që prej së premtes, për shkak të rrjedhjeve të shumta në internet. Nga ana e saj, artistja e ka “ngacmuar” jashtëzakonisht këtë dalje në muajt e fundit, duke zbuluar gradualisht disa videoklipe tejet të kuruara dhe me muzikë tërheqëse.

Fillimisht, Don’t Start Now, e cila i dha një ton të veçantë albumit. “Tingulli është tepër i ndryshëm nga ai që kam mundur të bëj më parë, por me të vërtetë gjendet gjurma ime në tekst” – thotë Dua Lipa. “Është kënga e përkryer për ndarjen. Flet për momentin kur ne e kemi marrë veten nga situata dhe personi tjetër shfaqet sërish (…)” vazhdon ajo.

Ne menduam se patëm hit-in e albumit me këtë, por disa muaj më vonë, Dua Lipa goditi edhe më fort me Physical. “Nuk mendoja se njerëzit do të çmendeshin aq shumë” – thotë ajo. Modesti e rreme? Ndoshta. Ndërkohë, klipi numëron 65 milionë shikime brenda një muaji. Në këtë titull, ajo arrin të shfrytëzojë të gjitha aftësitë e saj vokale, nga zëri i saj gërvishtës deri në nota shumë më të larta, një ritëm dhe një energji e rrallë që del prej saj.

Të enjten, një ditë para publikimit të Future Nostalgia, Dua Lipa u dha fansave të saj një shfaqje paraprake, me Break My Heart, me ritëm pop-rock. Një këngë e cila u frymëzua nga motivet e Need You Tonight të grupit Australian, INXS. Kjo gjë vështirë se na gjallëroi.

Një finale sfiduese

Marrëdhëniet në çift janë në qendër të këtij albumi, me çdo gjë që e rrethon: dashuria fizike (Good in Bed), pasoni (Love Again) dhe ndarja. Por Dua drejton dhe një betejë veç dashurisë, në veçanti përmes këngës Boys Will Be Boys, e cila mbyll albumin. Një tekst në qendër të të cilit është “sjellja e keqe” e djemve.

“Është një natyrë e dytë të kthehemi në shtëpi përpara perëndimit të diellit; Të mbajmë çelësat në dorë kur pas nesh është një mashkull”, këndon Dua. Mënyrë për të denoncuar, në këtë periudhë post – Me Too sjelljet shtypëse të burrave.

Këngëtarja shpjegon se në këngët e saj, ajo shpesh flet për emancipimin e grave, por asnjëherë nuk ka shkruar një tekst “që vërtet flet për vuajtjet që shoqërojnë gjendjen e femrës”. “Është një titull shumë i ndryshëm, por me të vërtetë kam dashur që të jetë në album më shumë se në tekst” thotë ajo.

Future Nostalgia arrin të kombinojë këngë që padyshim do t’ju bëjnë të vallëzoni deri në fund të natës dhe të tjera që do të mund t’i dëgjoni më me kënaqësi në divanin tuaj. Albumi ofron një dozë të thellë nostalgjie, pa rënë asnjëherë në trishtim të tepruar.

Në muajt e ardhshëm, ishte planifikuar që Dua Lipa të ishte në turne dhe të këndonte në “AccorHotels Arena” në Paris më 4 maj. Kriza globale e shëndetit ka vendosur ndryshe dhe data është shtyrë më 8 shkurt 2021.


Flash Lajme

Më të lexuarat