Po rikthehesh me një projekt të ri; na fol për bashkëpunëtorët dhe finalizimin e tij…
Po, është e vërtetë, pas gati 8 muajsh u riktheva me dy projekte të reja, dhe me plot bindjen mund të them që janë dy super projekte, të punuara me shumë dashuri dhe përkushtim deri në çdo detaj.

Kam bashkëpunuar me disa hitbërës dhe njerëz që besojnë në mua dhe talentin tim. Që para 8 muajsh që e kam marrë si demo këtë këngë kam rënë në dashuri, jam rrëqethur dhe kam thënë ‘kjo është, kam një hit në dorë’, pastaj duke punuar me kalimin e kohës kemi vendosur që këngën ta sjellim në dy versione, në versionin shqip dhe në versionin anglisht, pastaj duke punuar, idetë kanë filluar të rrjedhin në mënyrë të natyrshme, si për videoklipin dhe si për të gjitha gjërat e tjera që e finalizojnë dhe e përmbushin një projekt deri në detaj. Po ashtu është shumë e lehtë kur ka besim, dashuri dhe kimi në punimin e një projekti, me një staf profesionistësh, siç janë Darko Dimitrov që është producenti i këngës, Lindon Berisha që është tekstshkruesi i këngës – versionit shqip, Kosta Petrov që është tekstshkruesi i këngës – versionit anglisht, Sanja Popovska që është tekstshkruesja e këngës – versionit anglisht, Valon Aziri që është producenti i videoklipit, bashkë me stafin dhe kompaninë e tij CINEGR8, dhe Jeton Junuzi dhe MediaArts – që është menaxheri dhe kompania menaxhuese që më menaxhon.
Sa i kënaqur je nga ky projekt?
Jam jashtë mase i kënaqur nga ky projekt, nga këto dy projekte për shumë fakte. Një, që pata mundësinë për të bashkëpunuar me një staf profesionistësh dhe hitbërës të tillë. E dyta, që projektet, këngët, videoklipet u mundova dhe ia arrita t’i sjell në mënyrën më të mirë të mundshme për çdo gjë – deri në detaj, siç e kam pasur në plan. Dhe e treta, që kënga, këngët po priten jashtëzakonisht mirë, saqë as mua dhe as bashkëpunëtorëve të projekteve nuk po na besohet.



IMG-20200903-WA0008IMG-20200903-WA0009IMG-20200903-WA0005IMG-20200903-WA0007
<
>

A ju ka munguar publiku, pasi atij i keni munguar shumë, sepse projekti është pritur mjaft mirë…
Me thënë të drejtën më ka munguar shumë publiku, më ka munguar ndjenja e bukur që më japin fansat dhe mbështetësit në çfarëdolloj mënyre. Dhe po ashtu po e shoh që shumë më shumë iu paskam munguar unë atyre, dhe një projekt i ri i tillë, i cili seriozisht u prit dhe po pritet shumë mirë, dhe më duhet ta them që ka arritur shifrën e 3 milionë klikimeve për vetëm 8 ditë, “I Believe” dhe “Nuk e dua”, të cilat po i shoh, po i dëgjoj duke u lëshuar, dëgjuar dhe luajtur gjithandej, jo vetëm në të gjithë Ballkanin dhe në trevat shqipfolëse, por edhe në të gjithë Europën.
Me çfarë jeni marrë gjithë kësaj kohe jashtë muzikës?
Gjatë gjithë kësaj kohe unë nuk kam qenë as edhe një ditë jashtë muzike, kam qenë çdo ditë duke punuar në këngë – demo – dhe projekte të reja, po ashtu kam punuar shumë me trupin në palestër.
Jeton në Mal të Zi, por nuk harron të vizitosh gjithë trevat shqiptare? Për çfarë ke mall më shumë kur viziton vendet ku flitet shqip?
Momentalisht jetoj në Mal të Zi, dhe meqenëse jetoj në Tuz të Malësisë së Madhe, e kam kufirin shumë afër dhe kurrë nuk harroj të vizitoj trevat shqiptare. Siç e thashë edhe më lart, shpesh dhe shumë herë shkoj dhe jam në Shqipëri edhe për shkak të punës – muzikës – dhe nuk mund të veçoj diçka që më merr malli, vetëm mund të them se kurrë nuk e harroj, as nuk do ta harroj prejardhjen time, sepse gjaku nuk bëhet ujë: jam shqiptar, e dua shumë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët.
Ju muzikën e keni pasion, apo jetoni në sajë të muzikës?
Muzikën e kam jetë më së pari, unë frymoj për të bërë muzikë, jetoj për muzikë. Por që nuk mund të them që nuk fitoj nga muzika dhe projektet, këngët e mia.
Keni ndonjë surprizë me ndonjë këngë solo?
Kam shumë, po shumë projekte, këngë solo, por që asgjë nuk është ende konkrete, e vendosur, dhe ende nuk po zbuloj asgjë. Është herët, sepse sapo publikova dy projekte, dhe njëherë të shijohen dhe dëgjohen këto dy versione, pastaj kam shumë surpriza dhe shumë muzikë të re për mbështetësit dhe fansat e mi.
A keni vendosur të bëni edhe ndonjë album me përmbledhjen e gjithë hiteve?
E kam menduar, e kemi menduar, me thënë të drejtën, ama ende nuk i dihet. Kam kaq shumë këngë, projekte solo të gatshme në studio, saqë mundem lirshëm me publiku një album, ama është herët dhe nuk dua të zbuloj diçka dhe të flas më shumë, ia lëmë kohës, por premtoj që nuk do ju zhgënjej.
A mendoni se kënga vlerësohet nga numri i klikimeve që merr?
Po dhe jo, megjithëse për fat të keq më shumë po.
Si të bën të ndihesh kur rastis në ndonjë ambient teksa të gjithë dëgjojnë këngën tënde?
Shumë mirë, ndjenjë e papërshkrueshme dhe më bën shumë të gëzuar.
Sa je i përmbushur në jetën private; për gjithë ata që nuk e dinë, a mund të mësojmë si është statusi juaj?
Për momentin jam shumë i lumtur, kaq mund të them.
Si e kalon këtë verë me angazhime në muzikë?
Këtë verë me angazhimet në muzikë ka qenë shumë e vështirë për shkak të situatës, megjithëse kam qenë shumë i ngarkuar dhe i angazhuar edhe për shkak të ftesave të shumta, ama prapë jemi përpjekur të bëjmë diçka dhe të jemi sa më aktivë dhe afër fansave.


Flash Lajme

Më të lexuarat