Në fund Mario Mandzukic i tha jo një transferimi në Premier League, edhe pse kishte arritur një marrëveshje me Manchester United për një kontratë deri në vitin 2023. Sulmuesi kroat ashtu si Dybala nuk ishte shumë i bindur me planin e Solskjaer ndaj dhe vendosi që të mos ta merrte në konsideratë ofertën e Djajve të Kuq.

Gjithsesi kjo nuk do të thotë se ai nuk është më në merkato, pasi bardhezinjtë duket se ka vendosur që të largohet. “Supermario” mbetet në shitje sepse reparti i sulmit të ekipit torinez është i tejmbushur. Duke parë që Gonzalo Higuain nuk pranon të largohet dhe pritet që të afrohet edhe një sulmues tjetër (me shumë mundësi Icardi), atëherë hapësirat për Mandzukic do të jenë të pakta.

Bomberi kroat nuk përjashton mundësinë e një rikthimi në Bundesligë, atje ku Niko Kovac duket se është i interesuar për të, teksa më parë ka qenë pjesë e kampionëve të Gjermanisë nga sezoni 2012 deri në 2014. Rikthimi mund të ndodhë edhe për faktin që sulmuesi përfiton më shumë se 5 milionë euro në sezon, pasi ka një kontratë deri në vitin 2023. /R.Lika-Koha Jone/

Flash Lajme

Më të lexuarat