10 ditë të tjera, më pas më në fund do të vijë kampionati. Futbollistët e Interit kanë punuar me 100 km/h gjatë muajit gusht. Në fakt që nga dita e parë e punës me Conten, 8 korrik, seancat stërvitore të klubit zikaltër kanë qenë të stërlodhshme.

Trajneri kërkon seanca të dyfishta, madje duke mos pushuar as të dielën.

Ai dëshiron që të ndërtojë një ekip me sakrifica dhe punë, ku gjithçka bëhet me shpejtësi maksimale. Ka kohë edhe për buzëqeshje mes seancave, por të tilla do të jenë më të shumta gjatë sezoni. Tani mendja e të gjithëve duhet të jetë në debutimin e së hënës 26 gusht, kur Lecce do t’i sfidojë në “San Siro”.

Image

Nga fusha në tavolinë- Intensiteti, shpejtësia dhe modelet. Këto janë përparësitë e Contes, i cili duke parë afër premierën e kampionatit ka vetëm Godin, që stërvitet i diferencuar. Të tjerët janë të gjithë në dispozicion, ku vëmendja është te Lukaku dhe Lautaro, dyshja sulmuese që sipas të gjitha gjasave do të hap sezonin e zikaltërve. Këto ditë do të jenë vendimtare për të kuptuar se si bashkëpunojnë në fushë së bashku. Të dy po kërkojnë që të gjejnë formën më të mirë.

Sulmuesi argjentinas iu bashkua pjesës pjesën tjetër të ekipit vetëm në fillim të gushtit pas Kupës së Amerikës, ndërsa Romelu Lukaku ka vetëm një javë që ka filluar stërvitjet. “Këtu punohet shumë”, është shprehur belgu para disa ditëve, duke nënkuptuar se e priste që “rreshteri” Conte të ishte më i butë.

Image

Conte nuk ia ka lënë asgjë rastësisë, apo zgjedhjes individuale, pasi edhe në tavolinën ku ulen lojtarët të gjithë e kanë karrigen me emrin e tyre. Është një sezon i ri, ku kërkohet rikthimi te trofetë. Është një kërkesë e Zhang, një dëshirë e Marotta-s dhe një qëllim kryesor i Contes, i cili nisi misionin si zikaltër me mendimin për t’i dhënë fund dominimit të Juventusit. /Rozalb Lika-Koha Jone/

Image

 

 

Flash Lajme

Më të lexuarat