Në një konferencë për shtyp në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për EURO 2021, në 4 tetor ndaj Portugalisë në “Elbasan Arena” dhe në datën 8 tetor Finlandë-Shqipëri dolën dy futbollistet e kombëtares së femrave, portierja Viona Rexhepi dhe mbrojtësja Luçie Gjini.

Viona Rexhepi në fjalën e saj theksoi rëndësinë që ka mbështetja e tifozëve për të tentuar rezultatet pozitive: “Është një kënaqësi e madhe të përfaqësosh kombëtaren shqiptare, ne të gjitha jemi krenare që e veshim këtë fanellë. Atmosfera në këtë skuadër që drejton trajneri Sinani, është e mirë, fryma është shumë e ngrohtë, pozitive dhe kemi besim se mund të arrijmë rezultat pozitiv për dy ndeshjet e radhës. Në lidhje me kundërshtarët, Portugalinë nuk e njohim por Finlandën po, pasi luajtëm më herët dhe besojmë se do të bëjmë diçka. I ftoj të gjithë tifozët të vijnë të premten në “Elbasan Arena” pasi kemi nevoje për mbështetjen e tyre.”

Ndërsa mbrojtësja Gjini u shpreh: “Është e rëndësishme edhe rezultati edhe loja e mirë, na ndodh shpesh që bëjmë lojë të mirë por nuk arrijmë rezultatin, mendoj se është një ngërç që duhet ta kalojmë. Kjo situatë na ndodhi edhe ndeshjen e parë me Finlandën, patëm një pjesë të parë jo shumë të mirë, pjesën e dyte luajtëm më mirë por pa pasur sukses në gjetjen e golit. Ndonjëherë është edhe fati në mes për të fituar apo për të shënuar gol. Tifozët i falënderojmë shumë, pasi gjithmonë na kanë mbështetur edhe pse rezultati nuk ka qenë ai i dëshiruari. Do punojmë shumë dhe do të vijë edhe momenti ynë për të mos pasur frikë të krahasohemi me skuadrat më të mira në futbollin e femrave.”

Flash Lajme

Më të lexuarat