Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka është shprehur se stadiumi i ri Kombëtar do të inaugurohet më datë 17 nëntor në ndeshjen ndaj Francës, ndërsa theksoi se të ftuar do të jenë shumë personazhe dhe Federata homologe, ku ftesë ka edhe ajo e Serbisë.

“Çdo ditë është punuar me volum. Stadiumi do të hapet me Francën. Fillimisht me një ndeshje festë në përballjen e femrave. Të ndërtosh një impiant të ëndërruar prej vitesh, do të jetë e padrejtë që të mos kemi disa të ftuar nderi. Formula e ndërtimit dhe kosto jonë ka qenë fikse, 10 milionë euro plus edhe TVSH. Nuk duhej ta paguanim, por e paguam dhe duhet ta marrim mbrapsht. Në dijeninë time kosto totale është diku te 75 milionë euro. Stadiumi matet me vendet për spektatorë. Për emrin e stadiumit ne jemi në proces. Nisur nga fakti që Federata e Futbollit nuk merr asnjë ndihmë nga shteti dhe po sigurojmë mirëmbajtjen e “Elbasan Arena”, atëherë ky stadiumi në Tiranë ka një kosto të madhe.

Gjysma e fitimeve nga biletat në stadiumin e ri nuk shkojnë as 10 euro. Lekët e ardhura nga biletat nuk përmbushin as shpenzimet e ceremonisë së stadiumit. Sa i përket deklaratës së Dervishajt që bëri polemika, është marrë vetëm si fjalë. Ai është njeriu që kontribuon dhe punon më shumë. U mor vetëm si një fjalë në atë debat. Të gjithë duhet të na mirëkuptojnë që Federata e Futbollit ka zero të ardhura. Vetëm një lëvizje e ekipit kombëtar kushton 100 mijë euro, vetëm një lëvizje. Unë uroj që qeveria para se të inaugurojë stadiumin, të bëj disa ndryshime ligjore për sportistët që duhen. Marrëdhëniet e mia me kryeministrin janë korrekte.

Të ftuarit? Do të jetë presidenti i UEFA-s, dy zëvendës presidentët, disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Do të ketë shumë federata homologe. Do të jenë të gjithë ata që kanë luajtur me Kombëtaren. E kanë ëndërruar shumë brez pas brezi që të luajnë në një stadium të tillë, por meqenëse nuk kanë pasur këtë shans, atëherë ta shijojnë një ndeshje aty. Jemi të detyruar që të ketë një lloj protokolli. Do të ftojmë kryeministrin, presidentin e Republikës, zyrtare dhe qeveritarë të vendit. Do të jenë anëtarët e FSHF-së, nga bota e biznesit si dhe nga bota e medias. Serbia? Kemi marrëdhënie me të gjitha federatat homologe. Do të jetë edhe Serbia e ftuar në stadiumin e ri. Federata serbe e vuajti më shumë atë që bënë huliganët serbë atje në ndeshjen e Beogradit. Miqësore? Pse jo, por janë datat e pakta në dispozicion të Kombëtares. Miqësore duhet të luajmë me të gjithë, pasi sporti nuk duhet të ngatërrohet me politikën”, u shpreh Duka për “Ora News”.

Flash Lajme

Më të lexuarat