Vogëlushi 10 vjeçar Santi Vata ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Tërmeti që goditi vendin tonë, fatkeqësisht e la të lënduar si dhe dëmtoi rëndë edhe shtëpinë e tij.

Një surprizë për të ishte vizita që FSHF organizoi për këtë tifoz të vogël e të zjarrtë të kombëtares. Futbollistët e Kombëtares sonë Bekim Balaj dhe Odise Roshi erdhën posaçërisht në Tiranë për të takuar Santin dhe për t’ju gjendur pranë në këtë moment të vështirë.

Balaj dhe Roshi i kanë dhuruar tifozit të vogël një fanellë të kombëtares me emrin e vogëlushit me numrin 10, me firmat e tyre, si dhe një top. Dy djemtë e suksesshëm të kombëtares i kanë dhënë kurajo dhe forcë Santit dhe i kanë premtuar se do ta marrin në Air Albania Stadium në një nga ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses sonë.

“Jemi përfshirë në mënyrë aktive që nga dita e parë si futbollistë të kombëtares, së bashku edhe më shumë familjarë, miq por edhe kolegët tanë futbollistë të kombësive të ndryshme në klubet ku jemi angazhuar, që të ndihmojmë në këtë fatkeqësi” tha Bekim Balaj.

“Dëshira është për të ndihmuar sadopak njerëzit tanë në këtë moment të vështirë. Fëmijët janë më të rëndësishmit për ne. Jam i prekur sepse sot takuam Santin, këtë vogëlush-tifoz të zjarrtë të kombëtares. Do ndihesha shumë i lumtur nëse kemi mundur të sjellim sadopak kënaqësi e buzëqeshje te Santi”, tha Odise Roshi.

Ky takim vjen në vazhdën e disa festave dhe takimeve që Federata e Futbollit ka organizuar këtë fundvit me fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti, fillimisht në Kavajë e më pas në Pezë.

Fotografia e Federata Shqiptare e Futbollit

Fotografia e Federata Shqiptare e Futbollit

Tags:Bekim BalajOdise Roshitermeti

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All