Presidenti Gaz Demi, menjëherë pas humbjes turpëruese në Lezhë, mori situatën në kontroll dhe ua bëri të qartë lojtarëve pikëpamjet e tij për vazhdimësinë e skuadrës. Ndonëse Besëlidhja i mundi 3-0, presidenti konfirmoi trajnerin Sormani dhe ua bëri të qartë futbollistëve se projekti me trajnerin italian do të shkojë deri në fund dhe për situatën e krijuar i gjobiti të gjithë me një rrogë mujore.

Arritja e fitoreve radhazi dhe kualifikimi në Kupë shikoheshin si një mundësi për “demat” që të hiqnin gjobën. Ndonëse fituan në ndeshjen e kthimit, 3-1 ndaj lezhjanëve, Partizani u eliminua në Kupë duke hequr një mundësi për ekipin për të shlyer gjobën. Por, pas suksesit bindës në transfertën e Laçit, sërish është ndezur një dritë jeshile që “demat” ta heqin gjobën.

Nëse ekipi fiton edhe dy ndeshjet e radhës në kampionat, që përkon edhe me mbylljen e muajit shkurt, ndaj Bylisit dhe derbin me Tiranën, parashikohet që presidenti Demi të ndryshojë mendje. Presidenti i të kuqve në përgjithësi nuk është shquar për gjoba, por për mbështetjen e skuadrës.

Ndaj 6 pikë në dy ndeshjet e radhës do të bënin që ekipi të marrë edhe rrogën e shkurtit, e cila është deklaruar si gjobë. “Demat” kanë reaguar pas shkundjes që presidenti i bëri ekipit pas turpërimit në Lezhë, pasi kanë arritur 3 fitore në kampionat dhe një në Kupë, me 11 gola të shënuar dhe 2 të pësuar. Me fitoret ndaj Bylisit dhe në derbi ndaj Tiranës, Partizani do të hynte fuqishëm në garë për titull, por edhe ekipi do të mbushte xhepin.

Tags:kushti i klubitpartizani

Flash Lajme

Më të lexuarat