Andrea Pirlo po punon për sezonin e ri. Pas 10 ditësh Juventus do të nisë kampionatin kundër Sampdorias. Të shumta janë pikëpyetjet te kampionët e Italisë. Kush do të jetë vendimtar këtë sezon? Çfarë do të ndodhë në merkato? Cili është aspekti që është nënvlerësuar? “Gazzetta dello Sport” ka hartuar një listë me 10 përgjigje.

Harmonia – Ditët e para të Pirlos janë të shoqëruar me qetësi dhe harmoni. Ndryshimi i humorit erdhi edhe në saj të ndryshimit në stol, teksa presioni është shumë më i vogël dhe pakënaqësia zero. Dëshira për të shkuar përpara në të njëjtin drejtim, drejtimi për herë të parë i një ekipi, do të jetë edhe çelësi i Pirlos, i cili synon që të bëjë më të mirën te bardhezinjtë.

CR7 – Në Suedi Cristiano Ronaldo dëshmoi se është në super formë. Ai jo vetëm që arriti kuotën e 100 golave me Portugalinë, por edhe e tejkaloi duke realizuar dy gola shumë të bukur. Dhe ta mendosh, një ditë para ndeshjes ishte i dëmtuar. Cristiano vjen nga një sezon fantastik me 37 gola në total, 31 në kampionat, ndaj dhe ruajtja e këtij niveli është një objektiv.

Kalendari – Kalendari bën që Andrea Pirlo të shpejtojë ritmin e punës. Pas sfidës me Sampdorian, do të përballet me Romën në transfertë dhe më pas me Napolin në Torino. Fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit do të jetë një periudhë thelbësore për të parë formën e skuadrës.

Suarez në majën e sulmit – Andrea Pirlo kërkon me ngulm një sulmues qendror. Pas tri javësh negociatash me Edin Dzekon, erdhën lajmet e shumta për një transferim të mundshëm të Suarez. Problemi për uruguaianin mbetet zgjidhja e kontratës me blaugranët si dhe provimi për pasaportën italiane. Mesazhi i fundit në rrjetet sociale, nuk jep aspak indicie pozitive. Për sulmues të dytë, Kean mbetet një opsion një mundshëm.

Shumëllojshmëri taktike – Zotërimi i topit, vëmendje për rikuperimin sa më parë, aftësia për t’u vendosur si me 3 dhe me 4 në mbrojtje. Pirlo e ka nisur me një plan të qartë aventurën te skuadra torineze. Një Juventus që driblon, krijon epërsi në fushë do e bëjë më të thjeshtë gjetjen e Ronaldos dhe Suarez (nëse blihet) në sulm.

Enigma Dybala – Juventus kërkon të rregullojë merkaton në dalje për të bërë më pas blerjen. Gonzalo Higuain dhe Khedira janë jashtë projektit, ndaj dhe për ta është çështje ditësh largimi. Teksa për të dy problemi është zgjidhja e kontratës, me Dybala-n rinovimi ka ngecur dhe ende nuk është zyrtarizuar marrëveshja e përfolur në javët e fundit të sezonit të kaluar.

Kulusevski arma shtesë – Kulusevski nuk shihet titullar me afrimin e një sulmuesi të ri qëndror. Gjithsesi Dejan ka aftësi të shkëlqyera teknike dhe atletike për t’u bërë i rëndësishëm tek ekipi i Pirlos. Fjalët e Ronaldos pas ndeshjes ndaj Suedisë për të janë një motivim më shumë për të. Kulusevski garanton teknik, vrap, gola, agresivitet dhe driblime, që i përshtaten më së miri bardhezinjve.

Shans i artë për Arthur – Të kesh trajner një mjeshtër si Pirlo është një fat i madh që do ta ëndërronte çdo futbollistë. Dilema e vetme për brazilianin krahas cilësive që ai disponon, është nëse do të luajë si mesfushor i tërhequr për organizimin e lojës, apo do ja lërë kabinën e regjisë Bentancur.

Chiellini – Rikuperimi i tij i plotë do të jetë shumë i rëndësishëm për kampionët e Italisë. Nga pikëpamja fizike kapiteni dha garanci në sfidën ndaj Holandës. Chiellini është shumë i rëndësishëm për Juventusin e ri për teknikën, karizmin dhe për personalitetin që ai shfaq në fushë.

Dëmtimet – Në sezonet e fundit një nga problemet më të mëdha kanë qenë dëmtimet e shumta. Duke filluar nga Chiellini dhe për të vijuar me De Sciglion, Demiral, Douglas Costa dhe Khedira, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të ofrojë garanci për ndeshjet e radhës. Pirlo shpreson që të ketë fat në këtë aspekt. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

Tags:JuventusPirloRonaldo

Flash Lajme

Më të lexuarat