Reali i Madridit nuk kishte arritur kurrë një sukses të tillë më përpara me një trajner të vetëm. Dhe jo vetëm Reali, por asnjë skuadër në botë nuk kishte mundur të fitonte dy herë rresht Ligën e Kampioneve e asnjë trajner me të njëjtën skuadër nuk e kishte bërë këtë.

Por vjen një teknik francez, me eksperiencë të paktë dhe shkruan historinë, duke fituar tri herë rresht Ligën e Kampioneve të Europës dhe ky njeri është Zinedin Zidane. Tashmë është zyrtare. Zinedine Zidane ka vendosur të kthehet te Reali i Madridit, klub të cilin e la verën e kaluar, pasi arriti të triumfojë 3 sezone radhazi në Ligën e Kampionëve. Skuadra madrilene po kalon një moment tejet të vështirë, pasi javën e kaluar pësoi 3 humbje radhazi në “Santiago Bernabeu”, që e nxorën nga pretendimet për të fituar në të tre kompeticionet ku merrte pjesë. Pikërisht për këtë arsye, presidenti Florentino Perez vendosi të shkarkojë edhe trajnerin e dytë sezonal, Santiago Solarin, ndërsa përdori të gjithë armët e mundshme, për të bindur francezin të rikthehej në stolin e Realit. Klubi madrilen njoftoi dje pasdite se në orët e mbrëmjes tekniku Zinedine Zidane do të dalë në një konferencë për shtyp në krah të presidentin Florentino Perez, për të njoftuar edhe arritjen e marrëveshjes për rikthimin te klubi kryeqytetas. Pritet me mjaft interes të mësohen detajet e marrëveshjes së re mes Zinedine Zidane dhe Florentino Perez, ashtu si edhe premtimet e merkatos, që bosi madrilen mund t’i ketë dhënë trajnerit francez. “Jam shumë i lumtur që jam kthyer në shtëpi. S’kam çfarë të them, edhe pse keni shumë pyetje, por unë skam çfarë të them, vetëm dua të vazhdoj sërish të punojë për të dërguar këtë kub aty ku duhet. Ajo çfarë dua është që nesër të nisi punën. Jam shumë i lumtur. A do të kesh më shumë autoritet? Do të shohim. Do të ndryshojnë disa gjëra për vitet e ardhshme. Por, do të kemi kohë për të folur për të ardhmen, sot kjo nuk është tema, por për ndeshjet që kanë mbetur dhe duam që të përfundojmë sezonin sa më mirë. Kisha oferta tjera, por nuk doja asnjë skuadër tjetër, vetëm Real Madridin dhe është koha të nisim punën dhe unë, më besoni, kam shumë ende për të dhënë dhe dëshirë të madhe për të punuar që nga nesër”, u shpreh Zidane. Ndërkohë, krejt ndryshe nga shumë e shumë trajnerë të tjerë gjatë historisë që janë larguar nga Reali kur janë shkarkuar, ​Santiago Solarit i është bërë një përjashtim. Sepse, edhe zyrtarisht atij i është kërkuar të qëndrojë. Menjëherë sapo u konfirmua se do të kthehej Zidane në krye të “Los Blancos”, klubi njoftoi se Santiago Solari, të cilin do ta zëvendësojë francezi – ka ofertë që të mos largohet nga klubi. “Bordi i drejtorëve të Real Madridit, i cili u takua sot, më 11 mars 2019, ka vendosur të përfundojë kontratën që lidh Santiago Solari me klubin si trajner i ekipit të parë dhe, në të njëjtën kohë, Real Madrid i ka ofruar të vazhdojë të jetë pjesë e klubit”, shkruan Reali i Madridit në faqen e tij zyrtare. E thënë ndryshe, nëse Solari pranon – ai do të kthehet sërish të jetë trajner i të rinjve të akademisë së klubit të njohur madrilen.

Flash Lajme

Më të lexuarat